Kalo te përmbajtja
AlphaSoftWeb Solutions

Certifikatat SSL/TLS tani zgjasin maksimumi 398 ditë

Publikuar më

Laptop i mbyllur, i lidhur me zinxhir dhe dry mbi një shesh me pllaka

Nga 1 shtatori 2020, certifikatat SSL/TLS që u mundësojnë faqeve të internetit lidhjen e sigurt HTTPS nuk mund të kenë më afat vlefshmërie më të gjatë se 398 ditë, pra rreth 13 muaj. Rregulli vlen për certifikatat e lëshuara nga kjo datë e tutje. Certifikatat ekzistuese, të lëshuara më parë me afat deri në 825 ditë (rreth 27 muaj), vazhdojnë të funksionojnë deri në skadim, por kur të rinovohen do t'i nënshtrohen kufirit të ri.

Kush e vendosi ndryshimin

Ndryshimi nuk erdhi nga një vendim i përbashkët i industrisë. Propozimet për certifikata më të shkurtra nuk kishin kaluar më parë në votimin e CA/Browser Forum, organizmit ku autoritetet e certifikimit dhe prodhuesit e shfletuesve bien dakord për rregullat. Në shkurt 2020 Apple njoftoi se do ta zbatonte vetë kufirin. Sipas Apple, pajisjet me iOS, iPadOS, macOS, watchOS dhe tvOS nuk do t'u besojnë certifikatave të lëshuara nga 1 shtatori me afat mbi 398 ditë, dhe lidhja me faqet që i përdorin do të dështojë. Kompania rekomandon që certifikatat të lëshohen me afat maksimal 397 ditë.

Google ndoqi të njëjtën rrugë: Chrome e zbaton rregullin që nga versioni 85, i publikuar në fund të gushtit, dhe certifikatat që e tejkalojnë kufirin i trajton si të lëshuara gabimisht. Edhe Mozilla ka bërë të ditur se po përgatitet ta përfshijë kufirin në politikën e Firefox. Disa autoritete certifikimi vazhdojnë të ofrojnë paketa shumëvjeçare, por brenda tyre certifikata lëshohet dhe instalohet sërish çdo vit.

Pse certifikata më të shkurtra

Qëllimi i deklaruar është siguria. Sa më shpesh të rinovohet një certifikatë, aq më shpesh verifikohen të dhënat që ajo përmban dhe aq më pak kohë mund të mbetet në përdorim një certifikatë e komprometuar ose e lëshuar gabimisht. Kufiri nuk prek certifikatat e lëshuara nga autoritete të brendshme që një organizatë i ka instaluar vetë në pajisjet e saj, por vlen për certifikatat publike që përdorin faqet, dyqanet online dhe API-të.

Çfarë do të thotë për bizneset

Për pronarët e faqeve dhe dyqaneve online, ndryshimi kryesor është se certifikata duhet rinovuar të paktën një herë në vit. Një certifikatë e skaduar shfaq paralajmërim në shfletues dhe mund t'i largojë klientët pikërisht në momentin e pagesës.

  • Bëni listën e të gjitha certifikatave që përdorni: faqja kryesore, nëndomenet, serveri i emailit, API-të dhe shërbimet që përdorin aplikacionet mobile.
  • Shënoni datat e skadimit dhe vendosni njoftime disa javë përpara.
  • Aty ku është e mundur, automatizoni rinovimin. Certifikatat falas të Let's Encrypt kanë afat 90 ditë, rinovohen automatikisht përmes protokollit ACME dhe nuk preken nga ky ndryshim.
  • Nëse një aplikacion mobil ose një pajisje kontrollon një certifikatë të caktuar, provojeni ndërrimin e saj përpara se të skadojë e vjetra.

Me rinovime më të shpeshta, procesi manual harrohet më lehtë. Automatizimi dhe një person i caktuar si përgjegjës për certifikatat janë mënyra më e sigurt për të shmangur ndërprerjet.

Artikuj të tjerë

Keni një projekt në mendje?

Një Project Manager i dedikuar do t'ju asistojë hap pas hapi — nga ideja deri në lançim.

Kërko preventiv