Më 30 nëntor grupi hotelier Marriott International njoftoi një incident sigurie në bazën e të dhënave të rezervimeve të Starwood, kompanisë hoteliere që Marriott e bleu në shtator 2016. Sipas njoftimit, kjo bazë përmban informacione për deri në rreth 500 milionë mysafirë që kanë rezervuar në hotelet e markave Starwood, mes të cilave Sheraton, Westin, W Hotels, St. Regis, Le Méridien dhe Four Points by Sheraton.
Si u zbulua
Më 8 shtator 2018 një mjet i brendshëm sigurie sinjalizoi një përpjekje për të hyrë në bazën e të dhënave të rezervimeve Starwood në Shtetet e Bashkuara. Gjatë hetimit doli se në rrjetin e Starwood kishte pasur akses të paautorizuar që nga viti 2014, pra që para blerjes nga Marriott. U zbulua gjithashtu se një palë e paautorizuar kishte kopjuar dhe enkriptuar informacione dhe kishte ndërmarrë hapa për t'i nxjerrë jashtë. Më 19 nëntor hetimi konfirmoi se ishte aksesuar baza e të dhënave me informacionet e rezervimeve në hotelet Starwood.
Cilat të dhëna janë prekur
Për rreth 327 milionë mysafirë, të dhënat përfshijnë një kombinim të emrit, adresës postare, numrit të telefonit, adresës email, numrit të pasaportës, të dhënave të llogarisë Starwood Preferred Guest, datëlindjes, gjinisë, datave të mbërritjes dhe largimit, datës së rezervimit dhe preferencave të komunikimit. Për një pjesë të tyre përfshihen edhe numrat dhe datat e skadimit të kartave të pagesës. Numrat e kartave ishin të enkriptuar, por Marriott deklaroi se ende nuk ka mundur të përjashtojë mundësinë që të jenë marrë edhe të dy përbërësit e nevojshëm për deshifrimin e tyre.
Kompania e ka raportuar incidentin te organet e zbatimit të ligjit, ka nisur njoftimin e autoriteteve rregullatore dhe po u dërgon email mysafirëve të prekur. Ajo ka hapur një faqe të dedikuar dhe një qendër telefonike për pyetjet e tyre, dhe ka bërë të ditur se do t'i heqë gradualisht nga përdorimi sistemet e Starwood.
Çfarë do të thotë për bizneset
Hotelet, agjencitë e udhëtimit, klinikat apo dyqanet online në Shqipëri nuk kanë përmasat e Marriott, por shpesh mbajnë të dhëna të ngjashme: kopje dokumentesh identiteti, të dhëna kontakti dhe historik blerjesh. Rasti nxjerr në pah disa mësime praktike:
- Blerjet sjellin edhe sistemet e vjetra. Kur merrni përsipër një kompani ose integroni sistemet e saj, kontrolli i sigurisë IT duhet të jetë pjesë e vlerësimit, jo diçka që shtyhet për më vonë.
- Mbani vetëm të dhënat që ju nevojiten. Numrat e pasaportave apo kopjet e dokumenteve që ruhen pa afat e rrisin dëmin në rast rrjedhjeje.
- Monitoroni aktivitetin në rrjet. Hyrja në sistemet e Starwood zgjati me vite pa u vënë re; alarmet dhe kontrollet e rregullta i shkurtojnë këto periudha.
- Ruani çelësat e enkriptimit veçmas nga të dhënat dhe kufizoni rreptësisht kush ka akses në to.
- Kini gati një plan reagimi. Duhet të dihet kush vendos, kush njofton klientët dhe autoritetet, dhe brenda çfarë afati. Për kompanitë që u nënshtrohen rregullave të GDPR-së, njoftimi i autoritetit mbikëqyrës duhet bërë brenda 72 orëve, kur kjo është e mundur.
Rasti Starwood tregon se siguria e të dhënave nuk është projekt që mbyllet një herë e mirë, por punë e vazhdueshme që kërkon inventar të sistemeve, përditësime dhe kontrolle periodike.



