Kalo te përmbajtja
AlphaSoftWeb Solutions

Sulmi kibernetik ndaj qeverisë shqiptare: mësime për bizneset

Publikuar më

Ndërtesa e Kryeministrisë në Tiranë me flamurin shqiptar përpara

Më 15 korrik 2022 një sulm kibernetik shkatërrues goditi sistemet e qeverisë shqiptare. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) u detyrua të mbyllte përkohësisht aksesin në shërbimet publike online, përfshirë portalin e-Albania, dhe në faqet e institucioneve. Më 7 shtator kryeministri Edi Rama deklaroi se hetimi kishte arritur në përfundimin që sulmi ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit. Qeveria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe i dha stafit të ambasadës 24 orë kohë për të lënë vendin. Irani i ka mohuar akuzat.

Si ndodhi sulmi

Raportet teknike të publikuara këtë muaj nga Microsoft dhe nga agjencitë amerikane CISA dhe FBI japin një pamje të qartë. Sulmuesit hynë fillimisht në rrjet rreth 14 muaj para sulmit, duke shfrytëzuar një dobësi të njohur prej vitit 2019 (CVE-2019-0604) në një server SharePoint të ekspozuar në internet. Më pas ruajtën aksesin për rreth një vit, lëvizën brenda rrjetit dhe nxorën periodikisht përmbajtje email-esh. Në korrik përdorën një program ransomware për të enkriptuar skedarët dhe një program tjetër për të fshirë disqet. Sipas CISA-s dhe FBI-së, në shtator pasoi një valë e re sulmesh me mjete të ngjashme.

Pesë mësime për bizneset

  • Përditësimet nuk shtyhen. Dobësia e shfrytëzuar kishte zgjidhje nga prodhuesi që në vitin 2019. Sistemet e ekspozuara në internet, si serverat e email-it, VPN-të dhe portalet, duhet të përditësohen të parat.
  • MFA për çdo hyrje nga jashtë. Microsoft dhe CISA rekomandojnë vërtetimin me shumë faktorë për të gjithë përdoruesit dhe lidhjet VPN, mundësisht në një formë që i reziston phishing-ut.
  • Të drejtat e administratorit kontrollohen. Sipas CISA-s, sulmuesit përdorën një llogari të komprometuar për të shtuar një llogari të re në grupin që administron serverin e email-it. Llogaritë me të drejta të plota duhet të jenë pak dhe të rishikohen rregullisht.
  • Trafiku i pazakontë ndiqet. Nxjerrja e të dhënave zgjati muaj pa u vënë re. Transferimet e mëdha dhe të papritura nga serverat e email-it janë sinjal që duhet hetuar.
  • Kopje rezervë dhe plan reagimi. Ndaj një programi që fshin disqet, mbrojtja reale është një kopje rezervë e ndarë nga rrjeti, e testuar, dhe një plan i provuar se kush vepron dhe si.

Çfarë do të thotë për bizneset

Sulmi ishte i drejtuar ndaj institucioneve shtetërore, por teknikat nuk ishin ekzotike: një server i papërditësuar, llogari me më shumë të drejta se ç'duhet dhe mungesë monitorimi. Të njëjtat dobësi gjenden shpesh edhe në rrjetet e bizneseve, të mëdha apo të vogla. Një kontroll i parë nis me tri pyetje: cilat sisteme janë të aksesueshme nga interneti, kush ka të drejta administratori dhe kur është provuar për herë të fundit rikthimi i të dhënave nga backup-i. Nëse këto pyetje nuk kanë përgjigje të qartë, një rishikim i infrastrukturës IT është vendi i duhur për të nisur.

Artikuj të tjerë

Keni një projekt në mendje?

Një Project Manager i dedikuar do t'ju asistojë hap pas hapi — nga ideja deri në lançim.

Kërko preventiv